Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz ka reaguar pas sulmit të sontëm me armë zjarri në Vjenë. Kurz është shprehur se policia do të veprojë me vendosmëri kundër autorëve të sulmit.

“Ne kurrë nuk do të frikësohemi nga terrorizmi dhe do t’i luftojmë me të gjitha mjetet. Në mënyrë që policia të përqendrohet tërësisht në luftën kundër terrorizmit, qeveria federale ka vendosur që ushtria federale do të marrë përsipër mbrojtjen e pronës në Vjenë deri më tani.”, ka shkruar ai në facebook.

Kurz më tutje u ka kërkuar njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi.

“I gjithë vendi është në mendimet e mia me viktimat, të plagosurit dhe të afërmit e tyre, të cilëve u shpreh keqardhjen më të thellë. Ne falënderojmë majat e Bashkimit Evropian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për dhembshurinë dhe shprehjet e tyre të solidaritetit. U kërkoj të gjithë njerëzve në Vjenë të qëndrojnë në shtëpi!”, ka shkruar më tutje Kurz.

Policia austriake ka informuar sonte se disa njerëz janë plagosur në Vjenë ku sipas informacioneve të para një sulmues ka qëlluar në drejtim të policit që ishte duke ruajtur një sinagogë, i cili është në gjendje kritike për jetën. Agjencia austriake e lajmeve APA ka cituar Ministrinë e Brendshme të vendit të ketë deklaruar se një sulmues është vrarë dhe një tjetër mund të jetë në arrati. Karl Nehammer, zyrtar i lartë të sigurisë së vendit, ka deklaruar se disa njerëz janë plagosur në një sulm në kryeqytetin Vjenë dhe mund të ketë edhe përfundime me fatalitet. Ai ka thënë se kishte disa sulmues të përfshirë dhe se një sulmues mund të jetë vrarë dhe një tjetër ndodhet në arrati./21Media