Policia e Kosovës dhe e Shqipërisë nisin patrullimet e përbashkëta

Shërbime të përbashkëta gjatë sezonit veror

Turni i parë i zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës sot do të udhëtojnë për në  Shqipëri për të kryer patrullime rrugore së bashku me Policinë e Shqipërisë.

Kjo është bërë e ditur sot në një konferencë për media në pikën e kalimit kufitar Vërmicë, pas të cilës ekipet policore do të vazhdojnë për në Shqipëri për të kryer detyrën konkrete sipas memorandumit të bashkëpunimit.

Major Jeton Rexhepi, drejtor i Drejtorisë për komunikacionin rrugor dhe bartës i implementimit memorandum të bashkëpunimit mes palës kosovare dhe shqiptare, tha se patrullimi i përbashkët gjatë shtatë viteve të fundit është realizuar me sukses dhe ai po ndikon që të ketë më shumë siguri në rrugë.

 

“Ky memorandum ka për qëllim ngritjen e bashkëpunimit, njëkohësisht ofrimin e sigurisë rrugore për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor, qoftë shofer apo pjesëmarrës me mjete nga Kosova, njëkohësisht edhe për vetë pjesëmarrësit apo banorët e shtetit Shqiptar, që bashkërisht me njësit patrulluese, të kontribuojmë që në këtë sezon veror rrjedha e trafikut të jetë më e lehtë dhe të ofrohet një siguri më e madhe. Andaj ne si policia e Kosovës, kemi përkrahur dhe po mbështesim që nga sot të filloj ky patrullim i përbashkët, në 6 turne. Një turn do t’i ketë 3 njësi policore me 6 zyrtarë policorë dhe po ashtu në kuadër të tyre, njëri prej tyre do të jetë mbikëqyrës i ekipit, i cili do të komunikojë me palën shqiptare dhe njëkohësisht do të ketë komunikim edhe me policinë e Kosovës, gjerësisht me bartësit e implementimit të këtij memorandumi”, ka thënë Rexhepi.

Ndërsa, Skënder Ismaili, shef i sektorit të sigurisë rrugore në Drejtorinë e policisë së Shtetit shqiptar, ka thënë se si pasojë e bashkëpunimit ndërmjet dy policive gjatë viteve të fundit ka pasur rënie të numrit të aksidenteve në sezonin veror në rrugët e Shqipërisë.

 

“Dua t’iu bëj thirrje të gjithë pushuesve kosovar që iu drejtohen plazheve të Shqipërisë, që duhet të bëjnë kujdes gjatë përdorimit të rrugës, sepse edhe infrastruktura rrugore ka disa defekte, të cilat në marrëdhënie me rrugën duhet të jeni pa rol dhe drejtuesit e mjeteve, që do te thotë që ata duhet të respektojnë me përpikëri sistemin rrugor. Kemi mjaft raste të vitit të kaluar ku shtetasit kosovar ose edhe ata të huaj janë përfshirë në konflikte rrugore dhe kemi disa raste ku qytetarët kanë humbur jetën. Prandaj duhet të tregohemi të kujdesshëm pavarësisht radhëve të gjata që krijohen në bregdet ose rrugëve të tjera”, ka thënë Ismaili.

Për më tepër ai ka bërë të ditur se do të ketë ndëshkime për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Ndryshe, në bazë të marrëveshjes të bashkëpunimit mes dy policive, është parë e arsyeshme që prezenca e policisë së Kosovës në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë viteve të kaluara, ka qenë e suksesshme, si në shkëmbimin e eksperiencave të policive në kryerjen e shërbimeve policore, ashtu edhe në rezultatet, të cilat kanë pasur.

Back to top button