Policia e Kosovës në kufi, mbikëqyr respektimin e targave “RKS”

Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme është duke kryer veprime në të gjitha pikat kufitare, me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe kushtetues. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se veprimet kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë, saktësisht çështjen e targave të automjeteve.
“Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, ka shkruar Sveçl përmes një postimi në “Facebook”.
Ai njofton se nga 15 shtatori s’ka në qarkullim asnjë veturë me targat “KS”, duke thënë se targat e vetme ligjore janë ato me denominimin “RKS”
“Situata është e qetë. Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave”, ka thënë tutje Sveçla./21Media

Back to top button