Policia e Kosovës, bazuar në realizimin e objektivave strategjike dhe planin e veprimit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e aktiviteteve të ndryshme kriminale, ka arritur rezultate pozitive në uljen e trendit të krimit, përfshirë uljen e veprave penale si grabitjet, vjedhjet dhe vjedhjet e rënda.

Në një komunikatë për media thuhet se sipas një analizë gjithëpërfshirëse të realizimit të Planit të Punës për 2020, parametrat e matjes së krimit në përgjithësi krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë shënuar rënie. Kështu, veprat penale, për këtë periudhë kohore kanë shënuar rënie për -6.15% (nga 24631 në 2019, në 23114 në 2020).

Po ashtu edhe rastet (veprat penale plus incidentet tjera) të iniciuara nga policia, kanë shënuar rënie për -6.31%. Policia e Kosovës, në zbatim të detyrave të saja, në realizim të Planit të Punës, gjatë kësaj periudhe ka arrestuar 9715 të dyshuar, ose 12.71% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po ashtu, numri i personave që janë dërguar në mbajtje është 3870, ose 9.87% më i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Veprat penale (ato më kryesoret), kundër pasurisë, kanë shënuar një ulje të ndjeshme, ku numri i vjedhjeve ka shënuar ulje, nga 4131 në 3492 ose -15.46%; numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar ulje, nga 3421 në 3030 ose -11.42 %, ndërsa numri i rasteve grabitje ka shënuar ulje nga 147 në 127 ose -13.60%.

“Policia e Kosovës, përkundër uljes së trendit të krimit, vazhdon të mbetet e përkushtuar në zbardhjen e ç’do rasti, në identifikimin e ç’do personi të dyshuar, me qëllim për të zbatuar synimet e saja, për të ofruar një siguri dhe një ambient të qetë për të gjithë”, përfundon komunikata.