Policia e Kosovës: Po menaxhojmë situatën në veri

“Angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimi i sigurisë ndaj qytetarëve, liria e lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së Kosovës”, kështu thuhet në deklaratën e Policisë.

Sot, në veri të vendit, është paralajmëruar të mbahen protesta/tubime, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës ka thënë se duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare, po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe detyrave të përcaktuara sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi.

Sipas Policisë para objektit të komunës së Zveqanit protestuesit me dhunë duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku edhe janë ndaluar nga Policia e Kosovës.

“Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveqanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”, thuhet tutje në deklaratë.

Protestat pranë komunave veriore janë duke vazhduar, Policia e Kosovës është duke menaxhuar situatën, njëkohësisht ka ftuar qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjeve të protestave, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato./21Media

Back to top button