Policia e Kosovës dje në Prishtinë, ka arrestuar pesë persona të dyshuar, që ndërlidhen me rastin e veprave penale “Blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e substancave narkotike dhe Mbajtja në pronësi apo kontroll e paautorizuar e armëve”.

“Policia e Kosovës pas pranimit të informatave ka zhvilluar një hetim intensiv dy mujor, me ç’rast me datë 14.07.2020 në Prishtinë ka realizuar një operacion policor gjatë të cilit njësia e Drejtorisë së Hetimit të Trafikimit me Narkotik (DHTN) – Prishtinë, ka ndaluar tri vetura të dyshuara në të cilat janë hasur personat e dyshuar si në vijim: B. D. M/Kosovar A. D. M/Kosovar, A. Sh. M/Kosovar, A. B. M/Kosovar, R. I. M/Kosovar”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Sipas policisë gjatë realizimit të kontrollimit të personave dhe veturave të dyshuara, në një nga veturat e ndaluara është gjetur një sasi e narkotikëve të llojit “Marihuanë” me peshë të përgjithshme prej 13kg e 800 gramë, së bashku me mbështjellës.

Në lidhje me rastin, pas konsultimit me prokurorin kompetent, me urdhër të tij është realizuar edhe një kontroll i lokacioneve të cilat dyshohet se janë shfrytëzuar për fshehje të substancave narkotike. Gjatë realizimit të këtij kontrolli tek të dyshuarit janë gjetur: 5 paketime me substancë narkotike të llojit Marihuanë me peshë të përgjithshme prej 6 kg e 206 gram. 3 peshore elektronike, Qese për paketim të substancës narkotike, Folje alumini , Një palë doreza, Një armë zjarri , Një karikator, Tre fishekë, 11 paktime dhe një cigare të mbushura me substancë të llojit Marihuanë me peshë 25.1gram ,7540 (shtatëmijë e pesëqind e dyzet) euro.

Policia e Kosovës ka njoftuar se pesha e përgjithshme e sasisë së konfiskuar të substancës narkotike arrinë në 20 kg e 31.1 gramë, ndërsa përveç gjësendeve të cekura më lartë, po ashtu është bërë edhe konsifkimi i pesë telefonave celularë dhe tri veturave të përfshira në rast si prova materiale që ndërlidhen me rastin .

Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të mbrojtësve të tyre dhe me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në qendër të mbajtjes./21Media