Tirana luan nesër përballë ekipit serb të Crvena Zvezdës, në ndeshjen e vlefshme për turin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve.

Takimi do të luhet në stadiumin Air Albania në orën 20:00.

Ndeshja Tirana – Crvena Zvezda (Beogradit) do të zhvillohet pa tifozeri, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19.

Policia e Tiranës ka publikuar edhe masat që do të ndërmarrë për mbarëvajtjen e këtij takimi.

Në kuadër të këtyre masave të parashikuara Policia e Tiranës informon qytetarët e Tiranës se:

“• Do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”. Nëse do të konstatohen shkelje të protokollit do të ndërhyjë dhe do të vendosen masa administrative sipas aktit normativ ndaj të gjithë personave përgjegjes.

• Nuk do lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi Policia do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.

Gjithashtu do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, në të cilat nuk do lejohen të lëvizin as mjetet dhe as këmbësorët.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete si edhe levizjen me këmbë në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19″./vizionplus