Policia jep detaje për sulmin ndaj nxënësit e kameramanit në veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për sulmet e sotme ndaj një nxënësi si dhe ndaj një kameramani në Veri të Mitrovicës.
Policia ka informuar se në orët e pasditës është sulmuar një nxënës i shkollës së mesme.
“Referuar informacioneve të siguruara nga terreni, sot në orët e paradites, një grup të rinjsh nga komuniteti shqiptar, (nëntë) 9 nxënës të shkollës së mesme, kanë shkuar për të shëtitur te lokacioni Kodra e Minatorëve që gjendet në zonën e përgjegjësisë së Mitrovicës Veri. Këta të rinj pas përfundimit, me t’u kthyer në drejtim të urës kryesore, në afërsi të një udhëkryqi, dyshohet se nga një automjet i tipit Renault (ngjyrë e kaltër), i cili dyshohej se i ka përcjellë/vëzhguar, kanë dalë disa persona të dyshuar, të cilët kanë arritur ta ndalojnë dhe ta rrahin/sulmojnë njërin nga nxënësit, përderisa të tjerët kanë arritur të largohen nga ai lokacion, në drejtim të urës kryesore”, ka informuar Policia.
Në lokacionin ku ka ndodhur sulmi ndaj nxënësit, përderisa ka qenë në kryerje të detyrës, një kameraman i portalit “Insajderi”, i cili ishte duke e xhiruar autoambulancën që po e trajtonte rastin e fëmijës së sulmuar, dyshohet se është penguar në kryerje të detyrës si dhe është sulmuar fizikisht nga personat e dyshuar, që dyshohet se mund të kenë qenë personat e njëjtë.
“Punonjësit (kameramanit) personat e dyshuar të cilët, sipas viktimës, kishin folur në gjuhën serbe, përveç sulmit/goditjeve të ushtruara ndaj tij, kishin tentuar t’ia marrin me forcë telefonin (celularin), pasi ka incizuar dhe ka pasur dëshmi të rastit. Më pas viktima (kameramani) ka marrë tretman mjekësor në emergjencën rajonale të Mitrovicës Jugu”, ka njoftuar Policia.
Kameramani dhe nxënësit e tjerë në prezencë të zyrtarëve të QPS-së janë intervistuar në stacionin policor, përderisa lidhur me rastin, siç ka bërë të ditur Policia, janë njoftuar edhe kompetentët e shkollës të cilës i përkasin nxënësit.
“Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, në bashkëpunim me organet e drejtësisë në rastin “Sulm&lëndim trupor” që ndërlidhen njëra me tjetrën, është duke kryer hetime, me qëllim të ndriçimit dhe arrestimit të personave të dyshuar”, ka informuar Policia.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallime, që të përmbahen nga çfarëdo lloj provokimi apo incidenti i mundshëm, që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike./21Media

Back to top button