Në Vermicë janë gjetur dy çanta në të cilat kishte 50 paketime me drogë.

Policia ka njoftuar përmes një komunikate për media se substancat narkotike janë sekuestruar më 26 nëntor rreth orës 18:30.

Të dyshuarit në një largësi nga zyrtarët policor kanë hedhur dy çanta të zeza nga dora dhe nga tereni malor kanë arritur të ikin në drejtim të Shqipërisë.

“Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar dy (2) qanta me ngjyre të zezë, ku brenda tyre kishte pesëdhjetë (50) paketime najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit Marihuanë me peshë totale prej njëzetë e tetë (28) kilogram e 686.8 gram”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti “Blerja, Posedimi, Shperndarja e paautorizuar e Narkotikëve, Substancave psikotrope analoge” dhe hetime të mëtejme janë në proces.

Deri në këtë periudhë të vitit janë konfiskuar mbi 200 kg substanca narkotike të llojeve të ndryshme, përderisa Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e pakompromis të rastave të trafikimit dhe abuzimit me substanca narkotike./21Media