Policia mohon pretendimet e Ramës se në çdo të dytën (tretën) veturë gjenden armë

Policia e Kosovës ka dalë me statistika rreth konfiskimit të armëve, pasi që sot kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se sipas informacioneve që posedon, policia gjen armë “në çdo të dytën apo të tretën veturë” që ndalet për kontrollim në Prishtinës.
Sipas policisë, vetëm mbrëmë janë kontrolluar 2049 vetura në rajon të Prishtinës, ku nga këto vetura janë gjetur e konfiskuar vetëm tri armë, njofton rtv21.tv.
“Bazuar në të dhënat e institucioneve përkatëse në vendin tonë janë të regjistruara 435 mijë vetura, vetëm në Prishtinë 86 mijë. Këtë vit (1 janar-8 gusht), kanë hyrë në vendin tonë (janë pajisur me Polisa të sigurimit) mbi 204 mijë vetura. Policia, vetëm gjatë realizimit të Urdhrit Operativ (UO) ‘Sezoni veror 2022’ ka ndaluar e kontrolluar mbi 329 mijë vetura, kurse gjatë realizimit të Urdhrit Operativ ‘Sezoni dimëror 2022-2023’ ka ndaluar dhe kontrolluar mbi 160 mijë vetura. Numri i armëve të konfiskuara gjatë vitit 2022 është 1473 armë, kurse në periudhën janar-korrik 2023 janë konfiskuar 636 armë, këto armë nuk janë gjetur vetëm në vetura, por është numri i përgjithshëm i armëve të konfiskuara”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Referuar, të dhënave të veturave të ndaluara e kontrolluara nga policia, vetëm gjatë realizimit të urdhrit operativ ‘Sezoni veror dhe ai dimëror’ dhe gjatë realizimit të aktiviteteve mbrëmë, përqindja e armëve të gjetura, në krahasim me veturat e kontrolluara, është një armë në disa qindra vetura të kontrolluara”, thuhet tutje në komunikatë.
Policia tha se më këto të dhëna nuk pretendohet të justifikohet armëmbajtja pa leje apo të minimizohet kjo dukuri, por të ofrohen disa të dhëna që mund të përdoren për të ofruar një pasqyrë më reale për dukurinë e armëmbajtjeve pa leje. /21Media