Drejtoria rajonale e Policisë së Kosovës në Pejë ka njoftuar se kohëve të fundit është vërejtur numër i shtuar i qytetarëve, të cilët nuk kanë respektuar vendimet e institucioneve të vendit, për të cilat Policia dhe Inspektorët komunal janë obliguar që të iniciojnë procedura ligjore.

Policia ka bërë të ditur se që nga fillimi i implementimit të urdhrit operativ “gatishmëria vepruese për parandalim të COVID-19”, ka kryer punën në mënyrën me të mirë dhe më profesionale të mundshme dhe atë me të gjitha kapacitetet e veta.

“Edhe përkundër rezultateve të mira të deritanishme, në rast se ndodhë një mos respektim i veprimeve parandaluese të vendosura nga institucionet e vendit, do të mund të dëmtoheshin përpjekjet e përbashkëta, si dhe suksesi që e kemi arritur deri me tani. Që nga data 04.05.2020 kanë hyrë në fuqi masa lehtësuese të veprimit për parandalimin e sëmundjes COVID-19, mirëpo kohëve të fundit është vërejtur numër i shtuar i qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar vendimet e Institucioneve të vendit, për të cilat Policia dhe Inspektorët komunal janë obliguar që të iniciojnë procedura ligjore. Nga data e lehtësimit të masave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, kur ka filluar faza e parë e deri me sot, janë iniciuar 11 (njëmbëdhjetë) raste Mosveprim sipas Dispozitave Shëndetësore gjatë Epidemisë, ndërsa vetëm gjatë kësaj jave janë iniciuar 8 (tetë) raste.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Sipas policisë, personat e dyshuar janë arrestuar dhe në shumicën e rasteve Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimi për 48 orë. “Po ashtu, për mos respektim të orarit të lëvizjes, mos bartje të pajisjeve mbrojtëse (maska, doreza) dhe për mos mbajte të distancës – janë proceduar 189 raste”, ka njoftuar policia.

Policia në Pejë ka vlerësuar që veprimet ligjore të përbashkëta të institucioneve dhe sjellja e përgjegjshme e bashkëpunuese e qytetarëve, në respektim të dispozitave ligjore për parandalim të sëmundjeve ngjitëse, ka dhënë rezultate pozitive konkrete.

“Andaj apelojmë tek qytetarët që të tregojnë vetëdije dhe përgjegjshmëri të lartë qytetare në respektimin e masave parandaluese te vendosura nga institucionet e vendit edhe gjatë kësaj faze dhe në të ardhmen në mënyrë që të kalojmë së bashku ketë situatë pandemie”, është bërë e ditur më tutje në komunikatë.