Policia shton masat e sigurisë në nivel vendi

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shtuar masat e sigurisë në vend, përfshirë edhe në veri të vendit, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa “sulme/incidente serioze kriminale”.

Në njoftimin e Policisë thuhet se kjo është bërë me qëllim të shtimit të sigurisë publike dhe parandalimit të incidenteve të natyrave të ndryshme.

“Me planifikimet e parapara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim. Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në teren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, thuhet në njoftim.

Qëllimi i operacioneve policore do të jetë siguria e qytetarëve, siguria e pronës së tyre e pronës publike dhe asaj institucionale.

“Policia me anë të veprimeve operative dhe atyre inteligjente do të ketë synim që të ruajë rendin e qetësinë publike, të parandalojë aktet kriminale e të hetojë e vejë para drejtësisë të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues. Duke pasur parasysh se ndihmë të madhe në realizimin e objektivave policore për më shumë siguri në vend, ka edhe bashkëpunimi me qytetarë, policia duke falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, fton qyfterët që edhe tani e tutje të ndajnë me ne informacione që shkojnë në drejtim të rritjes së sigurisë për të gjithë pa dallim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Back to top button