Lufta kundër pandemisë COVID 19

Lufta kundër pandemisë COVID 19

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, biseduan përmes telefonit për nevojën e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

Në një komunikatë të publikuar sot nga BE-ja thuhet se Borrell dhe Pompeo janë pajtuar që ndihma mjekësore për vendet më të rrezikuara duhet të rritet me shpejtësi, transmeton rtv21.tv.

“BE-ja dhe SHBA-ja kanë kapacitet për të kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në përpjekjet ndërkombëtare për të trajtuar pandeminë”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Gjatë bisedës me Pompeon, Borrell po ashtu theksoi nevojën e ofrimit të informacioneve të sakta dhe transparente për qytetarët, në kohën kur janë duke u rritur shqetësimet dhe duke qarkulluar lajme të rreme për koronavirusin.

Pompeo, në llogarinë e tij në Twitter, tha se ka biseduar me Borrellin dhe se marrëdhëniet transatlantike “kanë rëndësi të madhe për shëndetin publik global dhe për avancimin e interesave të përbashkëta në Libi, Siri, Venezuelë dhe në Ballkanin Perëndimor”.

Të premten është bërë e ditur se Departamenti amerikan i Shtetit ka ndarë afro 274 milionë dollarë fonde humanitare për të ndihmuar vendet e rrezikuara në luftën kundër koronavirusit./21Media