Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha të enjten nga Izraeli se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta konsiderojë lëvizjen e bojkotit të Izraelit, udhëhequr nga Palestinezët, si “antisemitike”.

Pompeo tha tutje se do të ndërpresë mbështetjen e qeverisë për çdo organizatë që merr pjesë në këtë lëvizje. Lëvizja në fjalë ka si synim, sipas tyre, që Izraeli të zbatojë ligjin ndërkombëtar sa i përket problematikave me fqinjët.

Në konferencën e përbashkët të shtypit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, falënderoi administratën amerikane për lëvizjen e ambasadës së saj në Jeruzalem, ndërsa solli në vëmendje edhe njohjen e sovranitetit të Izraelit për Lartësinë Golan dhe qëndrimin e ashpër kundër Iranit.

Plani i Presidentit në detyrë, Donald Trump për Lindjen e Mesme, sipas palestinezëve favorizonte më shumë Izraelin, ndaj edhe e kanë refuzuar atë. Sipas tyre, ky plan lejon Izraelin të aneksojë deri në një të tretën e Bregut Perëndimor. Palestinezët kanë protestuar për shkak të planit të sekretarit amerikan Pompeo për të vizituar vendbanimin hebre në Bregun Perëndimor.

Mijëra palestinezë u mblodhën në Ramallah të Bregut Perëndimor, teksa mbanin pankarta me parulla kundër vizitës së Pompeos.

Mediet amerikane shkruajnë se Presidenti i zgjedhur Joe Biden është zotuar të rivendosë ndihmën amerikane për palestinezët dhe të punojë në ringjalljen e procesit të paqes mes dy vendeve.