Prokurorëve të shtetit iu është kërkuar të jenë të pakompromisë ndaj shkelësve të ligjit dhe të mos t’i frikësohen llogaridhënies. Në këtë konferencën e sotme vjetore të Prokurorëve, atyre iu kërkua më shumë efikasitet në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

E kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se askush nuk është i paprekshëm për këtë institucion dhe të gjithë ata që e shkelin ligjin do dalin para drejtësisë, pavarësisht funksionit që ushtrojnë në shoqëri.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani tha se prokurorët përveç profesionalizimit duhet të kenë integritet dhe besueshmëri tek qytetarët. Nga posti që ajo ushtron, deklaroi se do jetë aleatja kryesore për të krijuar një shtet të së drejtës, rendit dhe ligjit. Osmani për gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës dërgoi mesazhin që ata të jenë të pakompromisë ndaj shkelësve të ligjit.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se vendosmëria e Prokurorit të Shtetit ka dëshmuar se janë të gatshëm për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe se askush nuk do mund t’i ndal në këtë rrugë. Ai tha se është e nevojshme të forcohet edhe më shumë vetëdija e prokurorëve të shtetit për domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit dhe vendosmërisë në ndjekjen, zbulimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve.

Lidhur me trajtimin e krimeve të luftës, Lumezi u shpreh se janë bërë hapa pozitivë në fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës, i cili funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku krahas strategjisë për trajtimin e krimeve të luftës, është caktuar edhe një prokuror i ri në këtë departament, duke e çuar në katër numrin e prokurorëve që merren ekskluzivisht me këto raste.

Duke folur për punën e prokurorëve, Kryeprokurori i Shtetit tha se askush nuk është i paprekshëm për Prokurorinë e Shtetit dhe këtë e dëshmojnë edhe aktakuzat e ngritura për vepra penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kurse, ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi tha se prokurorët janë shtylla kryesore e mbrojtjes së Kosovës dhe e mbrojtjes së sundimit të ligjit, prandaj ai tha se me ndryshimet e fundit që janë bërë në Procedurën Penale u është ofruar prokurorëve më shumë mundësi që të ndjekin të korruptuarit. Ai foli edhe për procesin e Vettingut për çka tha se është ky proces do jetë në mbrojtje të ndershmërisë së prokurorëve.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, i cili sapo ka marrë këtë pozitë, teksa i ka renditur prioritet e tij, tha se do punojnë në ngritjen e nivelit të llogaridhënies, efikasitetit, cilësisë së punës në zgjidhjen e rasteve. Ai tha se do punojnë në këtë drejtim me qëllim të Kosova të ketë një sistem prokurorial me integritet, transparent dhe që gëzon besimin e publikut.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se krijimi dhe ruajtja e një prokurorie efikase, të pavarur dhe llogaridhënëse është proces i vështirë, kompleks dhe i vazhdueshëm. Szunyoug u shpreh se prokurorët në Kosovës vazhdojnë të ballafaqohen me ndikime të padrejta ndaj tyre dhe lëndëve të tyre. Shefi i BE-së në Kosovë kërkoi rezultate më të mira në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërsa, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Philip Kosnett në Konferencën Vjetore të Prokurorëve i përmendi ngjarjet e fundit në Washington, për çka tha se nuk është hera e parë që vlerat dhe institucionet demokratike amerikane janë testuar.

Ai këshilloi prokurorët që të mos i frikësohen llogaridhënies. Kosnett përmendi edhe kontributin që kishte dhënë Anton Çetta për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historinë e Kosovës.