Në një fshat në Pakistan jeton një i moshuar, i cili çdo ditë është në detyrë të banorëve të fshatrave të atjeshme. Ai është postier. Muhamad është i verbër, por çdo ditë u dërgon postën tek dera.

Në fshatrat e largëta të rajonit Haripur në Pakistan, çdo ditë frekuenton ky person i cili quhet Muhamad Anwar.

Muhamad është i verbër, megjithatë ka 44 vjet që merret me këtë profesion dhe edhe pse ka probleme me të pamur, çdo ditë u dërgon banorëve të atjeshëm postën me letra tek dera.

Muhamad zgjohet në mëngjes, vishet, merr shkopin për drejtim, dhe bën deri në 12 km rrugë nëpër kodra, vetëm e vetëm për të dërguar postën deri në shtëpinë e fundit.

Muhamad i njeh këto kodra mirë, edhe banorë e atjeshëm e presin me mirësi e respekt. Ai është mësuar tashmë me zërat e tyre, që do të thotë se njeh secilin.

Muhamad është lindur me të pamur të dobësuar. Nëna dhe motra e vëllai i tij po ashtu janë të verbër. Pas vdekjes së babait të tij, Muhamad është dashur të kujdeset për familjen.

Si i ri, ka parë pak, ka treguar Muhamad për media. E me kalimin e kohës ka humbur tërësisht të pamurit. Por, falë banorëve të këtij rajoni, është gjendur mirë. Ai është i aftë në punën e tij, e ata që nuk e njohin, habiten  kur kuptojnë se ai nuk sheh por që kryen punët kaq me kujdes.

Kur ka filluar të merret me këtë punë, në atë kohë nuk ka pasur vetura për qarkullim, por edhe pse sot mund të shkojë me veturë, ec në këmbë sepse është mësuar me këtë ritëm.

Muhamad ka thënë se gjithmonë ka punuar me nder. Sot ai është i moshuar dhe ndonjëherë ka probleme me shëndetin, por ka përkrahjen e banorëve të cilët nuk e lënë vetëm. Banorët janë ata që i ndihmojnë dhe i japin inspirim që ai të vazhdojë punën si gjithmonë, gjë që ua di shumë për nder, sepse pa ndihmën e tyre nuk do të kishte mundur të mbijetojë./21Media