Pozita e shqiptarëve në Maqedoni, si i ka gjetur pavarësia në ’91-ën, e si janë sot?

 

Më 8 shtator 1991 shqiptarët e Maqedonisë e kanë bojkotuar referendumin për pavarësi. Ky vit nuk i kishte gjetur ata në pozitë të lakmueshme politiko-shoqërore, sidomos pas demonstratave të ‘81-shit në Kosovë, ku shqiptarët kanë qenë nën presion të vazhdueshëm.

“Nuk kishim as të drejtat elementare që garanton një shtet demokratik”, rikujtoi Hysni Shaqiri, deputet në përbërjen e parë parlamentare të Maqedonisë.

Bojkoti ka ndodhur që të mos lejohej keqpërdorimi i shqiptarëve për shtet të pavarur, kur në fakt nuk përfilleshin nga shteti, e kjo do të dukej edhe më pas në Kushtetutën e shtetit të ri.

“Kërkesa bazë e shqiptarëve në këtë periudhë ishte që shqiptarët të jenë pjesë konstituive e shtetit, si kategori e popullit shtetformues. Kur erdhi momenti për aprovimin e Kushtetutës, edhe aty shqiptarët nuk u përfillën dhe përjetuan një katarsë më të rëndë se sa referendumi, aty na u mohua përsëri e drejta që të jemi popull shtetformues dhe definimi ynë në kuadër të kushtetutës së re, thënë thjeshtë, ishte si pakicë kombëtare, me të drejta të kufizuara”, deklaroi Hysni Shaqiri, deputet në përbërjen e parë parlamentare.

Deputeti tjetër i përbërjes së parë kuvendore të Maqedonisë, Muhamed Halili tha se shpresë e shqiptarëve të Maqedonisë në vitin ‘91 ka qenë rikthimi i të drejtave të mohuara në Jugosllavi.

“Ishte e vështirë që të bëjmë hapa më kolosal sepse i gjithë fokusi ynë ishte në aspektin gjuhësor dhe kulturore në atë aspekt na iku gjendja ekonomike, forcat politike maqedonase e shfrytëzuan këtë dhe e bënë një privatizim, që në atë kohë e lëvdonin, por më vonë doli se është privatizim kriminal, një partiak, një etnik, e kështu me radhë”, u shpreh Muhamed Halili, deputet në përbërjen e parë parlamentare.

Dhuna, terrori i shtetit ndaj shqiptarëve dhe moszgjidhja e shumë çështjeve kanë qenë arsyet që kanë çuar drejt konfliktit të vitit 2001, gjë që ka bërë që edhe ish-deputeti Hysni Shaqiri, të veshte unifromën e UÇK-së.

“Durimit i erdhi kulmi. Shqiptarët nuk mund të vepronin më me mjete demokratike. Lufta u bë diçka e pashmangshme”, u shpreh ai. E edhe sot, 29 vjet pas pavarësisë dhe 19 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, nuk është i kënaqur me statusin e shqiptarëve.

“Çështja thelbësore dhe bazë për ardhmërinë e një populli është statusi i atij populli se si trajtohet brenda një shteti. Ne, deshëm apo jo, duhet ta pranojmë si realitet edhe sot në vitin 2020 se shqiptarë[t në kuadër të ndryshimeve kushtetuese me Marrëveshjen e Ohrit trajtohen si pakicë, si minoritet dhe edhe e drejta e gjuhës, është bërë një manipulim shumë perfid, që rrallë shtete të botës e kanë, ku një popull ta trajtojë si kategori numerike, statistikore, siç ne trajtohemi në Maqedoni”, potencoi Hysni Shaqiri, deputet në përbërjen e parë parlamentare.

Ish-deputeti Halili tha se 29 vjet janë pak për historinë, por janë shumë për një gjeneratë. Përparime ka, por shtoi se ecja ka qenë e ngadalshme.

“Sot problemet e arsimimit dhe gjuhës, përjashto kushtetutshmërinë dhe zyrtarizmin e shqipes, janë të dukshme por megjithatë kemi ngecje në lëmi të tjera si rezultat i kriminalizimit të strukturave politike shqiptare në gati dy deceniet e fundit dhe megjithë pesimizmin dhe pakënaqësitë që i shohim dhe i kemi përditë, lirisht mund të themi se Maqedonia në aspektin kushtetues është shtet juridik pranë, pra në teori, por në aspekt të zbatimit praktik të jurisprudencës, ngec prej gjitha shteteve të Evropës Juglindore”, theksoi Muhamed Halili, deputet në përbërjen e parë parlamentare.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut për dallim nga vitet e ’90-ta, sot kanë përfaqësim më të lartë në shumicën e institucioneve shtetërore, ndonëse te disa të tjera përqindja vazhdon të jetë e pamjaftueshme për përfaqësim të barabartë.

Në Kuvend për momentin janë 32 deputetë shqiptarë, nga 6 parti të ndryshme. Kryeparlamentari po ashtu është shqiptar. Sipas marrëveshjes politike të shumicës aktuale, pritet edhe kryeministri shqiptar në 100 ditët e fundit të qeverisë. Funksionojnë 3 universitete në gjuhën shqipe, ndërsa 2 zëvendëskryeministra dhe 6 ministrat e kabinetit të ri janë shqiptarë, për dallim nga vetëm 1 zëvendëskryeministër dhe 1 ministër që kanë qenë në qeverinë e vitit 1991, raporton TV21./21Media

Back to top button