Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK, nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se me shqetësim ka pranuar lajmin se Qeveria e Republikës së Kosovës është duke planifikuar një fazë të re të lehtësimt të masave në kohën kur ka rritje të rasteve me COVID 19 dhe kur, sipas tyre, kapacitetet spitalore po shkojnë në kufijtë e tyre.

Siç mund të jeni në dijeni shumica e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës janë ndërprerë për shkak të pandemisë. Ndërprerja e këtyre shërbimeve qytetarëve të Kosovës po u kushton në shëndet dhe jetë. Si rezultat i kësaj shëndeti publik i qytetarëve tanë po vihet në pikëpyetje, me ose pa pandemi. Të lirohen masat e tjera siç janë ahengjet, e qytetarët që kanë nevojë për shërbime shëndetësore të durojnë dhimbjen e tyre, kjo shkon në kufijtë e etikës. Përderisa shërbimet shëndetësore në institucionet publike janë ndërprerë, në ato private po vazhdohet puna normalisht. Kjo me vetëdije apo pa të, dikujt i përshtatet“, thuhet në komunikatën e PRAK-ut.

Tutje kjo shoqatë ka lutur Qeverinë dhe MSH-në që para fillimit të shërbimeve shëndetësore të sigurta të mos planifikoni lehtësim të mëtutjeshëm të masave, pasi që, siç thonë ata, e drejta për shëndet dhe jetë ka më shumë vlerë se të gjitha të drejtat e tjera.

Pa gëzimin e këtyre të drejtave, të gjitha të drejtat e tjera janë të kufizuara“, përfundon PRAK-u.