Prania policore te ndërtesat komunale në veri bie në 25%, zgjedhjet pas verës

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në takimin që krenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka zhvilluar të hënën me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Kosova është pajtuar që menjëherë të zvogëlojë praninë policore në dhe përreth ndërtesave komunale në veri, siç thuhet, në masën 25%.

Qeveria përmes një komunikate ka thënë se fokusi i këtij takimi ishte krijimi i parakushteve për përforcim të fokusit në zbatimin e plotë dhe të pakusht të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të Ohrit të datës 18 mars.

Zvogëlimi i pranisë policore në dhe përreth ndërtesave komunale është pika e parë e dakorduar sipas Qeverisë.

“Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale. Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale. Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve. BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes”, janë pikat për të cilat u dakorduan.

Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore./21Media

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button