Partitë jashtëparlamentare zyrtarisht i dhanë fund fushatës zgjedhore me aktivitete të ndryshme në Maqedoninë e Veriut. Lideri i Integras, Lupço Ristovski, e shfrytëzoi ditën në takime me qytetarët e Shkupit.

“A e dini cila është përparësia jonë, nuk janë njohuritë as të gjitha ato diploma dhe doktorata dhe këto ekipe të fuqishme liderësh pas nesh, as retorika ime e fuqishme politike në skenë publike. Arma jonë më e madhe kundër atyre është se e duam atëdheun tonë dhe me zemër jemi me popullin tonë maqedonas”, tha Lupço Ristovski nga Integra.

“E Majta” me optimizëm për fitore përuroi zyrën e 14 me radhë edhe atë në Manastir.

“Kësaj radhe shpresoj që të hyjmë në Parlament për dallim nga 2016. Nga fidbeku që marr nga vullnetarët në terren mendoj se me resurset që disponojmë kemi mbuluar aq sa mundemi maksimalisht, në disa qytete konkurojmë edhe me partitë e mëdha, bile jemi edhe më shumë”, u shpreh Dimitar Apasiev nga E Majta.

Tortevski nga “Partia jote” shkurt i ftoi qytetarët për të votuar.

“Nëse nuk del të votosh, do të votosh për këtë”, theksoi Aleksandar Tortevski nga Partia Jote.

Dje lideri i Konceptit Maqedonas, Petar Bogojeski, bashkë me bartësen në NJ.Z 2, Snezhana Kostadinoska-Millosheska, i vizituan fabrikat prodhuese të Çik-ut në Kumanovë.

Kjo parti në orën 19 e mbyll programin parazgjedhor në parkun e qytetit të Shkupit. /TV21