Është lansuar dokumenti mbi modalitetet e llogaridhënies duke përfshirë vettingun në sistemin e drejtësisë në Kosovë, me ç’rast u tha se deri në fund të dhjetorit do të vendoset edhe lloji i modalitetit që do të zbatohet.

Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj tha se sot po kurorëzojnë një punë të shkëlqyer që është bërë me një dokument përmbajtjesor. Ai shprehi bindjen e tij të plotë se do të ndërtojnë një sistem funksional të drejtësisë.

“Ne mendojmë dhe jemi të bindur që me këtë dokument me modalitetin që do të zgjedhim, jemi të sigurt dhe jemi të bindur se po ju vjen fundi dembelave që janë brenda sistemit të drejtësisë dhe të korruptuarve brenda këtij sistemi. Jemi të bindur se me këtë modalitet që do të zgjedhim ne do të ndërtojmë besimin e njerëzve në Kosovë ndaj pushtetit të drejtësisë. Dhe, kur të kemi besimin e ndërkombëtarëve, jemi të sigurt se vizat do t’i marrim më shpejt”, tha ai.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se do të jetë një projekt gjithëpërfshirës për shkak se është i rëndësishëm implementimi i tij. Ai tha se vettingu duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe jo politik, teksa shtoi se ka një dakordancë brenda koalicionit qeverisës që ky proces të ecë.

Ai tha se këtë muaj do të vendosin për llojin e vendimmarrjes që do të zgjedhin.

“Do të fillojmë qysh në janar implementimin e njërit nga këtyre skenarëve. Në këtë grup kanë qenë të kyçur edhe partnerët ndërkombëtar, dhe ata me pjesëmarrjen e tyre kanë treguar se e zgjedhin”.

Florent Spahija tha se ekspertiza e grupit punues ka bërë që të vijnë në përfundim vetëm të 4 modaliteteve.