Presidenca hap faqet e reja zyrtare: Institucionet publike nuk janë të lidhura me mandate individuale

Presidenca ka njoftuar se ka krijuar profile të reja zyrtare në rrjetet sociale, duke potencuar se ato të mëhershmet janë marrë nën  administrim nga zyra e ish-presidentes, Vjosa Osmani.

Në një njoftim në Facebook në faqen “Presidenca e Republikës së Kosovës” thuhet se institucionet publike nuk janë të lidhura me mandate individuale, duke shtuar se ato duhet të kenë komunikim të qëndrueshëm dhe me vijimësi, në shërbim të qytetarëve.

“Presidenca e Republikës së Kosovës njofton se ka krijuar profile të reja zyrtare në rrjetet sociale, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së komunikimit me qytetarët. Pas përfundimit të mandatit të Presidentes së mëparshme, profilet ekzistuese janë marrë në administrim nga zyra e saj dhe nuk përfaqësojnë më komunikimin zyrtar të Presidencës. Institucionet publike nuk janë të lidhura me mandate individuale, ato duhet të kenë komunikim të qëndrueshëm, të qartë dhe me vijimësi, në shërbim të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se profilet e reja zyrtare do të administrohen drejtpërdrejt nga institucioni i Presidencës dhe do të shërbejnë si burimi i vetëm i informacionit zyrtar nga ky institucion.

Back to top button