Presidenti burundian, Pierre Nkurunziza vdiq nga koronavirusi, sipas mjekëve në spitalin ku ai ishte duke u trajtuar.

Qeveria e vendit ka njoftuar se shkaku i vdekjes së Pierre Nkurunziza nuk ishte Covid-19, por një sulm në zemër.

Një burim mjekësor në spitalin Karusi ku vdiq Nkurunziza, ka konfirmuar se presidenti ishte me Covid-19 dhe ishte më respirator para vdekjes së tij.

Mjekët në spitalin universitar Kamenge në Bujumbura i thanë AFP-së se kreu i institutit të shëndetit publik kërkoi të vetmin ventilator të spitalit të tyre dhe shefin e shërbimit të reanimacionit ‘në emër të presidencës’ të hënën në 10 të mëngjesit, transmeton rtv21.tv.

Dyshimet kishin qenë të larta se presidenti kishte Covid-19 pasi gruaja e tij ishte shtruar në spital në fund të majit. Një dokument mjekësor i parë nga AFP thoshte që ajo kishte testuar pozitive për virusin dhe kishte pësuar ‘shqetësime të frymëmarrjes’.

Vendi afrikan njoftoi vdekjen ‘e papritur’ të Nkurunzizës më 9 qershor duke shpallur një javë kombëtare zie.

Qeveria ende nuk ka njoftuar një datë për varrosjen e tij, por po shënon periudhën shtatë ditore të zisë kombëtare, gjatë së cilës ka ndaluar muzikën në bare, klube të natës dhe karaoke, thuhet në një deklaratë të enjten.

Nkurunziza do të largohej nga detyra në gusht pas një periudhe të diskutueshme 15-vjeçare të shënuar me pretendime për shtypje dhe abuzime të të drejtave të njeriut.

U njoftua të premten që gjykata kushtetuese e Burundit ka rënë dakord që presidenti i zgjedhur Evariste Ndayishimiye të betohet menjëherë pas vdekjes së Nkurunziza./21Media