Presidenti i KOK-ut: Historia e artë e sportit falë suksesit të Majlindës
Majlinda Kelmendi u ndal sot në luftën e parë të saj në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ku u mposht nga hungarezja Reka Pupp.
Kampionia olimpike e Rio 2016 me humbjen e sotme nuk ka arritur ta vazhdojë synimin për t’u rikthyer me medalje nga “Tokio 2020”, përcjell KosovaPress.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi, pavarësisht humbjes së xhudistes kosovare, tha se historia e sportit tonë ka arritur këtu vetëm falë suksesit të Kelmendit.
“Historia e sportit tonë është shkruar me shkronja të arta falë Majlinda Kelmendit. Ajo ka fituar gjithçka që fitohet në karrierën e një sportisteje. Kosova në dekadën e fundit është promovuar me të arriturat e Majlindës, e veçanërisht me debutimin e artë të vendit tonë në Lojërat Olimpike Rio 2016”, tha Krasniqi.
Po ashtu, presidenti i KOK-ut u tregua optimist mbi faktin që Kosova do të presë edhe shumë medalje të arta, ndërsa karriera e Kelmendit do të jetë inspirim për sportistët e tjerë kosovarë.
“Kosovës do t’i vijnë edhe shumë medalje të arta nga piedestali më i lartë sportiv në botë, por e arta e Kelmendit do të jetë përherë në zemrat tona. Bagazhi i madh i medaljeve në karrierën e suksesshme, nuk duhet ta mërzisin krenarinë tonë, e cila është dhe do të mbetet përherë inspirim për sportistët e tjerë, të cilët do të vazhdojnë me medalje olimpike, siç e bëri edhe dje e arta Distria Krasniqi. Kokën lart heroina e vendit tonë”, tha Krasniqi.