Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani ka mirëpritur lirimin e masave nga Qeveria e Kosovës pasi me këtë rast po lejohet zhvillimi i aktiviteteve sportive në nivel vendi.

Hasani deklaroi se KOK-u ka zhvilluar aktivitete edhe gjatë periudhës së izolimit për shkak të pandemisë duke mbajtur disa seminare, si dhe duke qëndruar në kontakt me të gjitha federatat tjera në vend dhe jashtë tij.

“Kur ishim ndër të parët në ranglistën botërore për nga numri i të prekurve me Covid, normalisht që ishte shqetësuese dhe ndalimin e aktiviteteve sportive e kemi parë të arsyeshme, mirëpo nuk kemi pritur që të zgjasë aq shumë, por ja tani jemi liruar dhe iu kemi g֝ëzuar shumë këtij lirimi sepse sportistët kanë nevojë të stërviten, qytetarët kanë nevojë të merren me aktivitete fizike, kështu që e kemi mirëpritur lejimin e aktiviteteve sportive dhe që të vazhdohen garat. Sa i përket aspektit financiar, normalisht ne si komitet olimpik jemi ballafaquar me probleme sikur të gjitha federatat tjera, mirëpo kemi mbështetje edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Komiteti Olimpik Evropian por edhe nga ministria, kështu që fondet janë duke rrjedhur normalisht. Ne jemi munduar të bëjmë sa më shumë aktivitete duke iu përshtatur rrethanave ekzistuese, në këtë drejtim i kemi mbajtur mbi 14 seminare online, kemi mbajtur aktivitete duke iu bashkangjitur iniciativave botërore siç është edhe “Dita Botërore e Ecjes” dhe i kemi ftuar të gjitha federatat që të bëjnë diçka të ngjashme”, tha Hasani.

Hasani zbuloi aktivitetet që do të zhvillohen nga Komiteti Olimpik pas lirimit të masave.

“Nga perspektiva e KOK-ut, normalisht se duhet ta mbajmë kuvendin e punës, e kemi gjashtë vjetorin e njohjes së Komitetit Olimpik nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, do të marrim pjesë në Asamblenë e Komitetit Olimpik Evropian në Romë, do ta organizojmë prej datës 10 deri 12 festivalin e parë të filmit sportiv këtu në Kosovë. Tashmë i kemi afër 10 filma sportiv të incizuara këtu në Kosovë që do të shfaqen gjatë atyre ditëve, por i kemi edhe 30 filmat më të mirë të shfaqur vitin e kaluar në Milano në festivalin ndërkombëtar të filmit dhe televizionit sportiv”, tha ai.

Në fund, Hasani u ka bërë thirrje të gjitha federatave që t’i respektojnë masat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore duke mbështetur kështu edhe apelin e FFK-së drejtuar klubeve futbollistike që të marrin të gjitha masat parandaluese, ose në të kundërtën mund të pezullohet zhvillimi i ndeshjeve.

“E konsideroj shumë të përgjegjshme këtë që e ka bërë Federata e Futbollit dhe ngjashme duhet të veprojnë të gjitha federatat tjera sepse mbi të gjitha është shëndeti dhe nëse dëmtohet shëndeti për shkak të një pakujdesie normalisht se ato duhet të mbyllen për hire të ruajtjes së shëndetit të të gjithëve.”, tha në fund Hasani./kp