Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti as sot nuk dha datë për takimin e liderëve politikë lidhur me postin e presidentit.

Kreu i qeverisë tha se shefi i tij partiak, Isa Mustafa është duke bërë përpjekje që zgjidhja të gjendet në tavolinë. “Jemi duke bërë përpjekje, pa paragjykuar asnjë datë, disa prej partive politike kanë dhënë qëndrimet. Ne jemi duke angazhuar, vetëm në tavolinë gjendet zgjidhja”, tha ai.

Ndërsa,  Ushtruesja e Detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani mbrëm për RTV21 tha se për të zgjedhur një president të ri të shtetit i cili përfaqëson unitetin e popullit vendi duhet të shkoj në zgjedhje të reja në mënyrë që siç tha ajo, të rilegjitimohet Kuvendi i Kosovës.  Osmani, shtoi se nuk është detyrë e një presidenti të zgjidh ngërçe rreth një presidenti tjetër. “Sidomos e një u.d të presidentit, që e ka mandatin 6 mujor, në një rast kur përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti nga ky parlament po bëhen me qëllim të shpëtimit të një qeverie”, tha Osmani në Click Plus të TV21.

Sipas Kushtetutës zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet president i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh. /21Media