Kurti në Zvicër: Në dialog ne jemi në të drejtën tonë

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës “është në të drejtën e saj” në dialog me Serbinë.

“Ne jemi në të drejtën tonë. Në fjalën që kam mbajtur më 14 shtator para mediave në Prishtinë kam sqaruar se në dialogun e fundit ne si Kosovë kemi bërë tre propozime ndërsa Serbia asnjë. Në këto rrethana, ne duhet t’i përmbahemi kornizës së marrëveshjeve që kemi marrë si obligim dhe jo të marrim detyrime të reja”, ka deklaruar Kurti, pas takimit.

Këtë deklaratë Kurti e dha pas takimit me presidentin e Federatës së Zvicrës, Alain Berset, ku kryeministri ka shkuar për vizitë


Presidenti zviceran takohet me Kurtin, bën thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit

Në një takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Bernë të premten, presidenti federal Alain Berset i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.

Berset theksoi mbështetjen e Zvicrës për këtë proces normalizimi, siç njoftoi të premten Departamenti Federal i Brendshëm.

“Në Serbi dhe Kosovë nevojiten hapa të besueshëm dhe pragmatizëm që procesi të vazhdojë përsëri. Në këtë kontekst, u diskutuan hapat e ndërmarrë nga të dyja palët në marrëveshje, duke përfshirë angazhimin e qeverisë së Kosovës për t’u garantuar komuniteteve me shumicë serbe në veri të Kosovës një nivel adekuat të vetëqeverisjes.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu u tha se Zvicra mbështet pranimin e dëshiruar të Kosovës në Këshillin e Evropës, veçanërisht pasi kjo do t’u mundësonte të gjithë banorëve të vendit – dhe në këtë mënyrë edhe anëtarëve të pakicës serbe – të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjatë diskutimeve, presidenti federal theksoi vlerën e lartë që Zvicra i kushton një rajoni të begatë të Ballkanit Perëndimor. Marrëdhëniet dypalëshe mes Zvicrës dhe Kosovës janë zhvilluar ekonomikisht, por potenciali nuk është shterur.

Numri i dytë më i madh i investimeve të huaja direkte në Kosovë vjen nga Zvicra. Marrëdhëniet janë veçanërisht të ngushta falë diasporës kosovare: rreth 115,000 kosovarë jetojnë në Zvicër, dhe gjithsej deri në 180,000 njerëz në këtë vend kanë rrënjë kosovare./21Media

Back to top button