Presidentja në “fushatë”, takon qytetarët?

Ndërsa zgjedhjet e jashtëzakonshme po shihen të pashmangshme për shkak të bllokadës për zgjedhjen e presidentit të ri, presidentja Vjosa Osmani, ditëve të fundit ka intensifikuar takimet me qytetarët nëpër komuna të ndryshme të Kosovës. Sipas presidentes, këto takime kanë për synim që qytetarët ta kenë mundësinë e tyre të japin sugjerime se si duhet të zhvillohet Kosova.

“Qëllimi është të bashkëbisedojmë, t’ju dëgjojmë se si po e shihni rrugën përpara, si mendoni se Kosova duhet të zhvillohet edhe më shumë, edhe më mirë, dhe të drejtohet në rrugë të drejtë…”.

Ambasadori i karrierës, Albert Prenkaj, tha se shtimi i aktiviteteve të presidentes, Vjosa Osmani, duke zhvilluar takime me qytetarët është sinjal i qartë se ka filluar parafushata zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme.

“Presidentja është duke u përgatitur që të futet në zgjedhje të reja. Së fundmi, ajo është duke bërë fushatë parazgjedhore, duke zhvilluar shumë aktivitete të ndryshme. Edhe partitë politike kanë filluar përgatitjet për fushatë, por duhet ta presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.”, tha ai për rtv21

Politologu, Albinot Maloku, vlerëson se presidentja Osmani, me shtimin e vizitave nëpër komuna, e ka qartësuar rrugën e saj se nuk do të heqë dorë nga politika.

“Duket se ka filluar të bëjë fushatë, pasi edhe përmes dekretit për shpërndarjen e Kuvendit beson në veprimin e saj. Tashmë e kemi të qartë vullnetin e saj për t’u angazhuar politikisht edhe në të ardhmen. Ajo ka pasion për të qenë pjesë e politikës.”, theksoi Maloku për rtv21

Por, këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, mohon pretendimet se presidentja ka filluar parafushatën e saj zgjedhore. Në një përgjigje për RTV21, Kupina tha se takimet e tilla të presidentes kanë ndodhur edhe përgjatë mandatit 5 vjeçar.

“Presidentja Osmani është takuar vazhdimisht me qytetarë përgjatë këtyre 5 viteve dhe të njëjtën gjë e bën edhe tani për t’i falënderuar ata për përkrahjen dhe për t’i dëgjuar për tema që qytetarët i vlerësojnë si me interes publik.”

Ndërkohë, analistët kritikojnë Vetëvendosjen për mos gatishmëri që të shmangën zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“LVV-ja nuk ishte në gjendje të nxjerrë kandidatë të cilët do të merrnin votat e nevojshme për president.”, deklaroi Prenkaj.

“LVV-ja ka pasur përgjegjësinë që të mos vijë deri te një proces i ri zgjedhor. Ajo po vazhdon të sillet sikur gjithçka është normale, duke krijuar situatën për një proces të ri zgjedhor.”, tha Maloku.

Mandati i presidentes, Vjosa Osmani, ka mandatin përfundon më 4 prill, deri në atë kohë e ka të ndaluar me kushtetutë të përfshihet në ndonjë subjekt politik./RTV21/21Media

Back to top button