Presidentja Osmani kujton masakrën e Abrisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 24 vjetorin e masakrës së Abrisë.
Osmani shkroi se viktimat e kësaj masakre do të kujtohen me dhimbje, “e dhimbja rritet gjersa kjo ngjarje vazhdon të mbetet e pandriçuar nga drejtësia”.
“24 vjet më parë, 23 anëtarë të familjes Deliu, të moshave 2 deri në 94-vjeç u masakruan nga pushteti gjenocidal serb, teksa po e kërkonin shpëtimin maleve, duke ikur nga barbaria e forcave të regjimit të Serbisë. Ata qenë shndërruar në shënjestër të mizorisë serbe, sepse ishin shqiptarë dhe sepse donin të jetonin të lirë në vendin e të parëve të tyre”, shkroi Presidentja.
Osmani tha se ‘do t’i vazhdojnë përpjekjet që ata të cilët kryen këtë krim mizor të dalin para drejtësisë’.
“Sot, i kujtojmë me dhimbjen e njëjtë me atë të asaj dite dhe të secilës ditë të mëpastajme. Kjo dhimbje bëhet edhe më e madhe teksa kjo masakër, dëshmi e egërsisë së forcave serbe, vazhdon të mbetet e pandriçuar nga drejtësia. Planifikuesit dhe ekzekutorët janë të lirë, shteti që i sponsorizoi i pabindur për përmasën e krimeve të kryera e familja në pritje të drejtësisë. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet që ata të cilët e kryen këtë akt mizor të dalin para drejtësisë. Këtë ua kemi borxh viktimave dhe familjeve të tyre! Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Abrisë!”, përfundon shkrimi i Osmanit./21Media

Back to top button