Në Drenas është prezantuar laboratori virtual i cili do të jetë në shërbim për të gjitha shkollat në këtë komunë.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka vlerësuar lart punën e bërë nga vetë nxënësit e shkollave të Drenasit dhe ka inkurajuar që të vazhdojnë me inovacione të tjera për krijimin e platformave të tilla të cilat ndihmojnë nxënësit dhe shkollat në përgjithësi.

Edhe ministri i arsimit, Ramë Likaj ka përgëzuar nxënësit e Drenasit për krijimin e këtij laboratori, duke thënë se një projekt i tillë është i standardëve të larta, të njëjta me ato të shkollave evropiane.

Ky projekt është realizuar nga vetë nxënësit e shkollave të Drenasit në përkrahje të Drejtorisë së Arsimit dhe është i pari i llojit të tillë që realizohet në Kosovë, bazuar në planprogramet shkollore dhe do të ju shërbejë si ndihmesë në përvetësimin e njohurive shkencore, thuhet në komunikatën e komunës.

Ndryshe, Drejtoria Komunale e Arsimit, këtë vit ka pajisur të gjitha shkollat e Komunës së Drenasit me kabinete të shkencave të natyrës dhe të teknologjisë informative dhe ky projekt është në vazhdën e plotësimit të standardëve më të larta me mjete konkretizuese. /21Media