Prishtina e gatshme ta diskutojë Asociacionin ne dialog, Beogradi kundërshton vendimin e Gjykates Kushtetuese

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar se mund ta diskutojnë çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, por ato ende nuk e kanë një propozim të qartë për statutin e tij. Një diplomat amerikan që vizitoi rajonin, Derek Chollet, i bëri thirrje Prishtinës që ta vë në tavolinën e bisedimeve propozimin e saj për Asociacionin. Ndërkohë Beogradi zyrtar thotë se Asociacioni duhet të formohet, por akuzoi Kosovën se me këmbënguljen për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese po i zhvlerëson bisedimet.
Një vizitë në Prishtinë e Beograd e diplomatit amerikan, Derek Chollet, vuri në lëvizje të dyja palët për përqendrim në temën themelore të dialogut atë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Chollet i kërkoi Prishtinës të ofronte propozimin e saj për zgjidhje, ndërkohë që në mediat ndërkombëtare vlerësoi se Kosova duhet t’i jap serbëve të Kosovës, siç citohet, një autonomi më të gjerë, në veçanti Asociacion formal për komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
“Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republika Serbe. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, tha Derek Chollet.
Qeveria në Prishtinë nuk e ka bërë të qartë se cilat janë propozimet e saj për Asociacionin, por ajo ka ripërsëritur qëndrimin e kamotshëm se e kundërshton një asociacion një etnik. Kryeministri  Kurti zgjodhi Vjenën për të përçuar porosinë për herë të parë se është i gatshëm ta trajtojë Asociacionin në kuadër të marrëveshjes përfundimtare.
“Jemi në një moment kur flasim dhe diskutojmë për një marrëveshje të normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet. Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga zoti [Marty] Ahtisaari dhe nga zoti Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik”, tha Kurti.
I dërguari i  BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në një intervistë të mëhershme për RTV21, avokoi për një zgjidhje për Asociacionin në kuadër të bisedimeve për një marrëveshje përfundimtare, mbi bazën e një propozimi franko-gjerman. Aktualisht diplomati amerikan Chollet e cilësoi si të domosdoshme krijimin e Asociacionit pas përshkallëzimeve në pjesën veriore të Kosovës. Autoritetet në Beograd thanë se është e rëndësishme që të krijohet Asociacioni. Presidenti Vuçiq e akuzoi Kosovën se me këmbënguljen për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese po i zhvlerëson bisedimet
“Kur insistoni që diçka duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, atëherë shtrohet pyetja se pse po bisedojmë dhe për çka kemi biseduar në të vërtetë. Dialogun e kemi zhvilluar pikërisht për faktin se e dijmë se kjo nuk është e mundshme të arrihet në përputhje me aktet ligjore të njërës, palës tjetër apo palës së tretë”, tha Vuçiq.
Problemet me krijimin e Asociacionit në Kosovë iu veshën qeverive të kaluara deri në atë të Kryeministrit Kurti, i cili e cilësoi trashëgim të gabuar. Por diplomatë evropianë thanë se zbatimi i asociacionit duhet të jetë një lloj kompromisi ndërmjet të drejtave të komunitetit serb dhe interesit të shtetit të Kosovës. Pierre Mirel, ish drejtor i përgjithshëm i Komisionit Evropian tha për RTV21 se themelimi i Asociacionit duhet të bëhet përpara arritjes së marrëveshjes përfundimtare.
“Për mua do të ndihmonte arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me siguri. Ky është një element i rëndësishëm. Dhe kjo ishte ideja në vitin 2013. Sërish shpirti evropian për të kërkuar kompromis ndërmjet qëndrimeve të ndryshme duke marr parasysh interesat e komunave serbe dhe njëkohësisht edhe të shtetit të Kosovës, me qëllim të shmangies së mundësisë që ky Asociacion ta rrezikojë funksionimin e shtetit”, tha Pierre Mirel.
Sidoqoftë Asociacioni mbetet kryetema politike në Kosovë, sado që ende nuk dihet nëse Qeveria do ta paketojë një propozim të saj me të cilin do t’i mund t’i trajtonte kërkesat e komunitetit serb në vend. /21Media

Back to top button