Janë zhvilluar sot tri ndeshjet e para të vlefshme për xhiron e 21 të Superligës së Kosovës, në mesin e të cilave ishte edhe derbi i madh ndërmjet Prishtinës dhe Dritës që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Bardhekaltërit e fituan këtë ballafaqim me rezultat 2-0 duke vazhduar kështu serinë shumë pozitive të rezultateve me vetëm një barazim dhe katër fitore në pesë ndeshjet e fundit.

Bekteshi ishte ai që e kaloi Prishtinën në epërsi në minutën e 17’ dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim mes dy pjesëve.

Në pjesën e dytë Drita e kërkoi golin e barazimit me një lojë më agresive dhe si pasojë në minutën e 60’ Onoka u ndëshkua me karton të kuq duke e lënë skuadrën gjilanase me një lojtar më pak në fushë.

Fitoren Prishtinës ia siguroi Bardhoku në minutën e 87’ duke shënuar për 2-0.

Në ndeshjen tjetër, lideri aktual i Superligës është ndalur me barazim 1-1 nga skuadra e Gjilanit.

Rezultati i takimit u vendos brenda dy minutave në pjesën e fundit të ndeshjes. Zeka i dha epërsinë Gjilanit me golin e tij në minutën e 76’, por vetëm dy minuta më vonë Ballkani barazoi shifrat me golin e realizuar nga Nikac dhe ky ishte rezultati final i ndeshjes.

Ndërsa Trepça 89’ ka triumfuar me rezultat minimal 1-0 ndaj Llapit.

Ballkani vazhdon të qëndrojë në kreun e tabelës me 45 pikë, i ndjekur nga Drita me 44 dhe Prishtina në vendin e tretë me 41 pikë.