Ministria e Shëndetësisë fut në karantinë edhe Prishtinën

Ministria e Shëndetësisë fut në karantinë edhe Prishtinën

MSH-ja përmes një njoftimi për media, thotë se nga 94 mostra të testuara sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, për SARS-Cov-2, 20 prej tyre kanë rezultuar pozitive në Prishtinë.

Pas konfirmimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të 27 rasteve të reja pozitive sot në Kosovë me SARS-Cov-2, prej të cilave 20 në Prishtinë, Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nxori vendimin për shpalljen e Prishtinës si zonë karantinë.

Me këtë vendim, ndalohen hyrje dhe daljet në komunën e Prishtinës.

“Obligohen të gjithë qytetarët që të respektojnë masat sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Këtë vendim, MSh e ndërmerr me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë Covid -19 në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Një vendim të ngjashëm, sot Ministri Vitia për shpalljen zonë karantinë e ka marrë edhe për Komunën e Ferizajt, pasi që banorët e kësaj komune dyshohet se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me personin e infektuar me Koronavirusin Covid-19.

Për rastet e tjera përveç Prishtinës IKSHPK do të njoftoj sonte pas testimit të gjitha mostrave të sotme.

Në komunikatë thuhet se nesër do të mbahet një konferencë të jashtëzakonshme për media ku do të prezantohen masat e reja rigoroze që do të ndërmerren për përhapjen e mëtejme të Covid-19 në Kosovë./21Media