Prishtina ka numrin më të madh të rasteve aktive me Covid-19 në Kosovë. Deri më tani në kryeqytet janë 1 mijë e 192 persona aktivë qe po përballen me Covid-19. Që nga fillimi i pandemisë, në Prishtinë 21 persona kanë përfunduar me fatalitet, ndërsa 416 janë shëruar.

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se përhapja e shpejtë e virusit dhe numri i shtuar i rasteve të reja me Covid-19 janë vazhdimisht në rritje dhe kjo është shqetësuese.

“Bazuar në të dhënat e marra nga IKShP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë del se momentalisht, që nga data 20 Mars deri sot kemi 1629 raste me #covid19 prej të cilave 1192 raste janë ende aktive. Kemi 416 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 21 raste që kanë përfunduar me fatalitet”, ka shkruar Ahmeti.

Ai bëri thirrje që të respektojnë masat për parandalimin e koronavirusit.

“Mbajtja e maskës është një prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë. Të gjithë e kemi obligim që të ruajmë veten dhe të tjerët rreth nesh e të jemi të ndërgjegjshëm. Sepse vetëm #bashkë mund të e tejkalojmë këtë sfidë! Vazhdoni t’i mbani maskat, dezinfektoni duart dhe mbani distancë!”, ka shkruar tutje ai./21Media