​Prishtina prezantoi planin e veprimit për siguri në shkolla

Një përqindje e konsiderueshme nxënësve të kryeqytetit nuk ndihen të sigurt në shkolla.

Prandaj, për të rritur sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve, komuna e Prishtinës ka hartuar planin e veprimit për siguri në shkolla 2023/26, i cili u prezantua sot.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se hulumtimet kanë nxjerr në pah një përqindje të konsiderueshme të nxënësve të cilët ndihen të pasigurt në shkollat e kryeqytetit.

Rama u shpreh se sigurinë në shkolla e kanë si prioritet në planin qeverisës.

“Hulumtimet e përfshira të kryera nga institucionet e kryeqytetit OSBE dhe Policisë së Kosovës kanë nxjerr në pah se një përqindje e konsiderueshme e nxënësve ndihen të pasigurt në shkollat e tyre. Kemi vizitor të pa dëshiruar nëpër shkolla, zënkat fizike nëpër shkolla, vandalizmi, ngacmimet gjatë rrugës, vjedhjet e gjërave të nxënësve dhe këta janë vetëm disa nga faktorët që nxënësit tanë i shohin në aspektet që cenojnë sigurinë e tyre. Madje, edhe nxënësit më të vegjël kanë raportuar apo kanë qenë të shqetësuar me dukuri të ngjashme. Kështu që komuna e Prishtinës e sheh me prioritet të lartë sigurinë e nxënësve tanë, sepse pa ndjenjën e sigurisë edhe fokusi në mësim mungon”, theksoi ai.

Ndërsa, drejtoresha për Arsim në kryeqytet, Besiana Musëmurati theksoi se plani i veprimit për siguri në shkolla 2023/26 ka tri objektiva kryesore për të ofruar siguri për nxënësit.

Ajo tha se hulumtimi ka treguar se nxënësit nga klasa 1 deri 5 ndihen për 12% jo aq të sigurt në shkolla, ndërsa 24% e nxënësve të klasës 6 deri në 12 ndihen të pasigurt në shkollat e Prishtinës.

“Nxënësit e klasave 1-5 12% e tyre kanë thënë se nuk ndihen aq të sigurt, ndërsa nxënësit e klasave 6-12, 24% pra gati se dyfishin që ndihen jo aq të sigurt në disa raste 2.35% kanë thënë se ndihen jo aq të sigurt. Këto janë të dhëna na shqetësojnë të gjithëve…Plani i veprimit në përgjithësi ka tri objektiva kryesore, objektiva e parë është infrastruktura shkollore që garanton siguri…përmirësimi i klimës së shkollës dhe objektiva e tretë është rritja e sigurisë nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas. Buxheti vjetor është 1.5 milionë euro në vit”, u shpreh Musëmurati.

E Merita Jonuzi nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit u shpreh se pa krijuar favore për siguri në shkolla është vështirë të flitet për rezultate mësimore.

Sipas saj, edhe përkundër dokumenteve të mira për mbrojtje të fëmijëve, sistemi vit pas viti ka çaluar për shkak të ndërrimit të qeverisjes lokale.

“Në rrethanat e përgjithshme që i kemi konsideroj se pa krijua favore për siguri dhe mbrojtje të fëmijëve në kontekst të shkollës siç e kërkon legjislacioni në fuqi shumë është e vështirë me u fol për rezultate mësimore dhe është shumë e vështirë me fol për kompetencat apo ato që pretendon kurrikula dhe shkolla. Përgjatë kësaj pune që kemi punuar shumë konsideroj se sistemi vit pas viti ka çaluar…Konsideroj se çalohet për shkak se pushtetet ndryshohen nëpër komuna dhe ne nuk jemi mësuar me trasua memorien institucionale”, u shpreh ajo.

Sipas të parës për arsim në kryeqytet, plani parasheh shumë aktivitete si: vendosja e kamerave të sigurisë në shkolla, rritja e numrit të psikologëve, zhvillimi i protokolleve për raportim të dhunës, rritja e sigurisë prej shkollës në shtëpi, inspektimet e lokaleve afër shkollave.

Plani i Sigurisë është hartuar në bashkëpunim me nxënësit, prindërit, shkollat, Policinë e Kosovës, organizata jo qeveritare e shumë akterë të tjerë.

Për hartimin e planit të veprimit hulumtimi është realizuar në 20 shkolla të Prishtinës me 500 nxënës, përfshirë 150 staf të shkollës dhe 150 prindër.

Back to top button