Shtimi i rasteve të reja me COVID-19 nuk kanë ndikuar në shtimin e kujdesit nga ana e qytetarëve. Të paktën jo në Komunën e Prizrenit. Ditë më parë në orët e mbrëmjes, pas iftarit, qendra kryesore e qytetit, Shatërvani ishte i mbushur me qytetarë. Në raportin e Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit u bë e ditur se janë ndaluar 11 raste, prej tyre 17 persona janë arrestuar.

Në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë një qytetari i lejohet të dalë jashtë vetëm 3 orë gjatë ditës. Madje kjo është e rregulluar me shifrën e fundit të numrit personal.

Shaban Osmanollaj, zyrtar për informim në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Prizrenit tha për Kp see pas iftarit një grup qytetarësh janë parë duke u shëtitur te “Shatërvani”.

Sipas tij, policia bashkë me inspektoratin ka ndërmarrë masa menjëherë.

“Në mbrëmje pas iftarit kanë dalë një numër i qytetarëve por jo edhe aq i madh se e kanë bërë publike, kanë dalë pas iftarit në Prizren sepse kanë menduar që mund të dalin, mirëpo policia ka ndërmarrë masa menjëherë bashkë me inspektorët dhe i kanë larguar prej zonës së Shatërvanit”, tha Osmanollaj.

Ai shtoi se ka pasur edhe një rast kur kanë hasur në një kafiteri të hapur, ku ndaj pronarit të saj me vendim të prokurorit rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.

“Një rast e kemi pasur një lokal që kanë qenë një kafiteri e hapur pas orës 22:00 në mbrëmje është parë duke i shërbyer disa njerëz me kafe. Policia ka intervenuar menjëherë dhe me vendim të prokurorit rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt”, deklaroi ai.

Që nga 23 marsi kur edhe ka nisur zbatimi masave të para për parandalimin e COVID19, në rajonin e Prizrenit, Policia e Kosovës i ka ndaluar rreth 560 persona, prej tyre, 350 raste janë iniciuar.

“Ne i kemi diku 560 persona, domethënë qysh nga fillimi prej datës 23 mars rreth 560 persona që janë proceduar për mosveprim të masave gjatë kohës së pandemisë, për mos zbatim të masave të qeverisë. Ndërsa, diku 350 raste i kemi të iniciuara krejt”, shtoi Osmanollaj.