Prizren, arrestohen tre persona, konfiskohen gjashtë armë

Tre persona janë arrestuar sot në fshatin Pouskë të Prizrenit gjatë një aksioni policor. Po ashtu janë konfiskuar edhe gjashtë armë të zjarrit një sasi e municionit.
Personat e arrestuar dyshohen se kishin kërcënuar dy persona duke mos i lënë ata që të kalojnë me veturën e tyre.
“Me datë 16 Janar 2023, Njësitet policore të Stacionit Policor Prizren, pas pranmit të ankesës nga dy qytetar (një mashkull dhe një femër), bazuar në informacionet e mbledhura përmes rrugëve operative-hetimore , kanë identifikuar, lokalizuar dhe kane arrestuar tre të dyshuar në fshatin Pouskë në Prizren. Nga të njëjtit janë konfiskuar 6 armë dhe një sasi e municionit. Konkretisht me datë 16.01.2023 në ora 00:10, dy viktimat raportojnë se me datë 15.01.2023, rreth orës 23:10 ishin kanosur me armë derisa ishin duke lëvizur se bashku me veturën e tyre. Ata ishin kanosur në rrugën e fshatit Pouskë-Prizren. Sipas deklaratës se dëmtuarve, atyre u kishin dal para tre persona të dyshuar, të veshur me uniforma ushtarake, të armatosur dhe nuk kishin lejuar që të vazhdonin rrugën tutje duke i kthyer pas. Në lidhje me këto informacione të pranuara me datën 16.01.2023 në ora 09:30, hetuesit e Stacionit policor Prizren kane filluar hetime preliminare në drejtim të ndriçimit të rrethanave të rastit”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Pas një pune hetimore intensive në lidhje me rastin në fjalë, është arritur të sigurohet informacion i vlefshëm, në drejtim të identifikimit të një prej dyshuarve që dyshohet ka kryer këtë vepër.
Fillimisht një i dyshuari është shoqëruar ne stacionin policor Prizren, ku pas ballafaqimit me informacionin dhe dëshmitë e siguruara, ka pranuar që së bashku me dy dyshuarit tjerë e kane kryer veprën penale.
Në komunikatën e policisë bëhet e ditur se është informuar prokurori kujdestar, departamenti për krime të rënda, i cili ka dhënë urdhër verbal për bastisjen e shtëpive të tre të dyshuarve, me qëllim të gjetjes së dëshmive të tjera, që lidhen me rastin në fjalë.
Gjatë këtyre bastisjeve në fshatin Pouskë, janë gjetur dhe sekuestruar municion, rroba kamuflazh (ushtarake), si dhe armët e shënuara si me poshtë:
“1 (një) pushkë automatike AK-47,
1(një) Pushkë gjuetie “Magnum” ,
1 (një) pistoletë “Walter CP 88”,
2 (dy) pushkë gjuetie
1 (një) pistoletë plastike – shkrepëse, ngjyra e zeze, me mbishkrimin DESERT EAGLE”.
Pas bastisjeve të kryera dhe dëshmive të gjetura dhe sekuestruara është informuar prokurori kujdestar për krime të renda, ku ndaj tre të dyshuarve ka udhëzuar që të ngritet kallëzim penal për veprat penale “Kanosje”, “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armeve dhe municionit” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Deklaratat prej dyshuarve janë marr në prezencën e avokatëve të angazhuar nga të dyshuarit. Prokurori ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e tre të dyshuarve për 48 orë./21Media

Back to top button