J.Buxhovi: HISTORIOGRAFIA SHQIPTARE DUHET TË LIROHET NGA KTHETRAT E HISTORIOGRAFISË SERBE

J.Buxhovi: HISTORIOGRAFIA SHQIPTARE DUHET TË LIROHET NGA KTHETRAT E HISTORIOGRAFISË SERBE

Pas Gjakovës dhe Prishtinës, sot në Prizren, në ambientet e restorantit “Mulliri” në Marash, u bë promovimi i librit “Dardania – Antika, Mesjeta”. Me këtë rast, bibliotekës së Qytetit të Prizrenit iu dorëzuan 20 ekzemplarë nga donacioni prej 500 librash për bibliotekat e Kosovës dhe po aq libra iu dhuruan edhe të pranishmëve.

Autori i librit shpalosi qëndrimet e tij rreth rolit të Dardanëve dhe të Dardanisë të anashkaluara ose të nënvlerësuara nga historiografia institucionale në Tiranë dhe Prishtinë, përkundër faktit që shumë burime meritore nga antikiteti atë e shohin si qendër të qytetërimit antik në hapësirën euro-aziatike. Me këtë rast, autori, u ndal veçmas te pjesa e mesjetës dhe gënjeshtrat e historiografisë serbe rreth të ashtuquajturit shtet mesjetar serb, i identifikuar me Rashën e Nemanjajve si dhe krishterimin ortodoks, të përvetësuar nga
Serbia, duke e shpallur pjesë të kishës ortodokse serbe, gjoja nga shekulli i XIII, mashtrim ky që për pasojë pati përvetësimin e objekteve kishtare në Kosovë që historikisht i takojnë shqiptarëve si pjesë e trashëgimisë së tyre kulturore dhe historike nga zyrtarizimi i krishterimit në Ilirik dhe Dardani nga shekulli IV e këtej, të cilat, me Pakon e Ahtisarit i janë dhuruar Serbisë, me çka Kosova ka hequr dorë nga shtylla e saj historike – mesjeta, duke ia dorëzuar “tapitë” historike Serbisë!

Autori theksoi se në pjesën e Shtojcës ka paraqitur burimet antike që historiografia serbe në shekullin XIX, për t’ia krijuar platformën politike shtetit serb të pranuar në Kongresin e Berlinit më 1878, ka konvertuar Tribalët – fis ilir-dardan, në serb, ndërsa Tribalinë në Serbi! Ndër këto burime, si më të rëndësishme shihen shkrimet e Halkonkondilit, Pahemije dhe veçmas të perandorit Kontakuzin. Ky falsifikim është bërë në mënyrë të vrazhdë, me shpjegimet se “me tribalët është menduar për serbët”!

Mbi këtë falsifikim si dhe rishkrimin e dokumenteve të Hilandarit të përpunuara në shekullin XIX, janë shkruar libra e libra që kanë mbushur bibliotekat botërore, ndërkohë që historiografia institucionale në Tiranë dhe Prishtinë ka pranuar këtë gënjeshtër duke e etabluar në versionet zyrtare të Historisë së Popullit Shqiptar (atë të viteve të gjashtëdhjeta dhe të rishkruarin në vitet 2002-2007) e madje edhe në tekstet shkollore, me çka është kthyer në zëdhënës të historiografisë serbe!

Autori vlerëson se ka ardhur koha, kur bazuar në dokumentet bizantine dhe të tjera të autorëve botërore, historiografia shqiptare të rishqyrtojë rolin e Rashës dhe të dinastisë Nemanjane me origjinë Tribale, fillimisht që ta shkëpusë nga kthetrat e historiografisë serbe dhe mashtrimeve të sa, në mënyrë që atë ta rikuperojë në kuadër të botës ilire-dardane, ku edhe e ka vendin.

Autorët e shumtë bizantinë dhe burimet tjera ofrojnë mundësi të mira që kjo të bëhet, me kusht që akademitë shqiptare dhe institutet e historisë, duke u liruar nga diktati i politikës ditore, të mbajnë një simpozium shkencor, ku do të rishqyrtohet në tërësi roli i arbërorëve në Bizant si dhe formacionet politike dhe shoqërore që morën pjesë në konfrontimet lindje-perëndim, që sollën edhe rënien e Bizantit.

Botues  edhe këtë herë janë botuesit e mirënjohur “Faik Konica” nga Prishtina dhe “Jalifat Publishing” nga Houstoni i SHBA-ve./21Media