Rrugët mbulohen nga uji

Rrugët mbulohen nga uji

Kanë mjaftuar vetëm pak orë shiu që situata në qytetin e Laçit të dalë jashtë kontrollit.

Reshjet e shumta bënë që përroi që ndodhet në mes të qytetit të dalë nga shtrati dhe uji të vërshojë nëpër rrugë, duke sjellë dhe përmbytjen e disa biznese. Prezenca e ujit në rrugë solli krijoi vështirësi lëvizje për qytetarët dhe automjetet.

Nuk është hera e parë që përroi që kalon përmes qytetit, del nga shtrati.

Situata u monitorua në terren nga përfaqësues të Emergjencave Civile në Prefekturën e Lezhës, si dhe të Bashkisë së Kurbinit. Punonjësit e bashkisë janë në gatishmëri, duke ndërhyre në largimin e mbetjeve të sjella nga vërshimi i ujit në kolektorët kullues.

Me rënien e intensitetit të reshjeve niveli i prurjeve ra dhe uji u largua nga rrugët dhe bizneset, por duke lënë pas baltën dhe inertet.

Edhe në Lezhë problemet ishin të shumta. Uji arriti rreth 20 centimetra në blloqet e banimit. Bashkia e Lezhës nxori menjëherë në terren punonjësit e shërbimeve të cilët u angazhuan për të mbajtur të hapura pusetat shkarkuese pas prurjeve të shumë mbeturinave në to nga rrjedha e ujit.

Problem për disa orë kishte dhe në Shëngjin, ndërkohë që nga moti i keq puna u paralizua edhe në portet kryesore të vendit.