Përfundoi procesi i votimit në shkollën fillore, “Shaban Shala” në Podujevë. Në këtë qendër të votimit dyert u mbyllën në orën 19:00, derisa votuan 48.1% e qytetarëve. Ndërsa, i tërë procesi u konsiderua se shkoi në rregull dhe pa probleme.

Menaxheri i kësaj qendre votimi, Sabri Rudari bëri të ditur për Kp shifrat e daljes në votim nga qytetarët.

“Ne kemi respektuar orarin pasi nuk kishte votues më rresht para hyrjes ora 19:00 e kemi mbyllur qendrën e votimit. Deri më tani kanë votuar 1910 votues prej 3972 sa ishin të paraparë ose 48.1 për qind”, tha ai.

Rudari tha se gjatë ditës nuk pati ndonjë problem në këtë qendër të votimit.

“Nuk kemi pasur asnjë incident, gjithçka ka shkuar në rregull”, tha ai.

Pak para përfundimit të procesit të votimit, Kp qëndroi edhe në qendrën e votimit “Naim Frashëri”, ku menaxheri i kësaj pike, Skender Haxhiu u shpreh se i tërë votimi shkoi me rregull.

“Procesi zgjedhor në qendrën tonë të votimit ka shkuar jashtëzakonisht mirë të gjitha masat janë marrë me kohë dhe janë respektuar kë nivel…Numri i personave që kanë votuar deri më tash është diku 1500 ose rreth 40%”, tha ai.

Qytetarët llapjanë votuan sot gjatë ditës për ta zgjedhur kryetarin e ri të komunës. Në garë për këtë post janë Nexhmi Rudari nga LDK, Shpejtim Bulliqi nga LVV dhe Naim Fetahu nga PDK.