Bashkëshortja e poetit, Basri Çapriqit, profesoresha universitare, Sazana Çapriqi është diagnostifikuar me një kancer të rrallë dhe për shërimin e saj, familja po kërkon ndihmë financiare.

Vajza e Çapriqit, Bulza përmes Go FundMe ka bërë të ditur se në mes të pandemisë, nëna e saj, Dr. Sazana Çapriqi e ka thyer këmbën dhe doktorët në Kosovë e kanë operuar dhe ia kanë vënë këmbën në vend. Tre muaj pas operimit, ajo, ka pasur ende probleme në të ecur dhe kishte filluar të kishte dhimbje të forta. Atëherë, doktorët në Kosovë ia kanë bërë një CT dhe kanë parë se kishte thyer një unazë kurrizore. Gjithashtu, thyerja e mëparshme nuk ka pasur përmirësime dhe ka pasur nevojë për një operacion tjetër për të vënë një protezë.Pastaj, siç ka shpjeguar Bulza, familja Çapriqi ka kërkuar ndihmë në Gjermani, ku është operuar profesoresha dhe është mësuar se ajo ka “multiple myeloma” me lezione në eshtra dhe duhet të fillojë me kemioterapi sa më shpejt të jetë e mundur. “Pasi që e menduam situatën, vendosëm të kërkojmë ndihmë në Gjermani, meqenëse doktorët në Kosovë menduan se arsyeja mund të ishte ndonjë tumor. Fatkeqësisht, doktorët në Gjermani konfirmuan se kishte edhe një thyerje në femur, të cilën doktorët në Kosovë nuk e kishin vënë re dhe e cila ishte përkeqësuar shumë. Në Gjermani, doktorët e operuan nënën time dhe vendosja e protezës kaloi me sukses. Mirëpo, kur morëm testin e ashtit, u konfirmua që ajo ka “multiple myeloma” me lezione në eshtra. Doktorët thanë se sëmundja është mjaft agresive dhe thonë se duhet të fillojë me kemioterapi sa më shpejt të jetë e mundur, për t’iu shmangur dëmtimit më të tutjeshëm të veshkave dhe trajtimit me dializë. Kemioterapia do ta përgatisë për transplant të palcës kurrizore, trajtim që nuk bëhet në Kosovë.”, ka bërë të ditur vajza e profesoreshës Çapriqi.

Është vlerësuar se trajtimi kushton 300,000 euro. Spitali duhet të paguhet më herët për të filluar me procedurën.

Në këtë link mund ta gjeni njoftimin e plotë si dhe mundësinë për të ndihmuar.

Bulza Çapriqi ka theksuar se e njëjta sëmundje ia ka marrrë jetën babait të saj, Dr. Basri Çapriqit, para dy vitesh./21Media