Shukriu uron Tahirin

Shukriu uron Tahirin

Arkeologia dhe profesoresha universitare Edi Shukriu ka uruar skiatorin Albin Tahiri për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut. Me këtë rast ajo ka treguar edhe për pasionin e saj për këtë sport.

“Urime për përfaqësimin e Republikës së Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore 2018! (Mbase për dikë duket hap i vogël). Deri në mëngjez e prita Albin Tahirin se realizonte ëndrrën për përfaqësimin e shtetit tonë, por edhe ëndrrën time rinore. Skijonim familiarisht me skijat prej druri të rinisë së babait tim, pastaj u bëra kampione në gara të përbashkëta në Struzhje (1967, 1968) dhe isha femra e vetme në garat në Brezovicë (1968) dhe sot gëzohem kur i shoh në numër të madh. Po i shënoj këto se ka mjerisht mjaft që mendojnë se bota nis me ta. Edhe në diplomaci i kam shfrytëzuar këto fakte, si dhe të qenit arkeologe, se linte përshtypje që nuk na shihnin me shami e dimija. Natyrisht se e paramendoja veten si fituese e Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike Dimërore, por kur më kujtohej se duhej të qëndroja në piedestal duke dëgjuar himnin e ish Jugosllavisë ‘Hej slloveni jos ste zivi’ e harroja ëndrrën. Dihet se e doja himnin kombëtar, por edhe ky i Kosovës është një hap i ndryshimeve të mëdha. Thoshte nëna ime Gitë si NDSH-iste dhe e burgosur: ‘Ne kemi bërë sa kemi mundur, nëse mundeni bëni më shumë!’ FLM Albin Tahiri!”, ka shkruar Shukriu.