Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar që një profesor në UP paguhet që 7 vjet pa punuar

Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar që një profesor në UP paguhet që 7 vjet pa punuar

Një profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, paguhet tash e shtatë vjet, pavarësisht që nuk ka kontratë pune dhe as nuk mban ligjërata.

Kjo është shpërfaqur në raportin e auditimit të pasqyrave financiare të UP-së të bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit. ZKA-ja ka gjetur se në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike Kompjuterike, një profesor merr rrogë të plotë, megjithëse kontrata me UP-në nuk i është përtërirë që nga viti 2010.

“Gjatë diskutimeve me zyrtarët e UP-së kemi kuptuar se shkak për mosvazhdimin e kontratës ishin problemet e tij shëndetësore. Megjithëse, ai kompensohet në vazhdimësi, edhe pse nuk ofron shërbimet për çka kompensohet”, thuhet në raportin e auditorit, raporton Kallxo.com

Auditori thotë se pagesat ndaj personit i cili nuk është i aftë të ofrojë shërbimet paraqesin barrë të panevojshme dhe dëmtojnë buxhetin e UP-së.

“Mbajtja në listën e pagave e personit në fjalë, për shkak të kufizimeve buxhetore e pamundëson rekrutimin e një stafi i cili do të ofronte shërbimet e nevojshme”, thuhet tutje në raport.

Auditori i Përgjithshëm ka kërkuar nga Rektori i UP-së që të shikojë nëse në Universitet ka raste të tjera kur profesorët marrin pagën e plotë përkundër që nuk janë të rregullt në punë.

“Rektori i UP-së në bashkëpunim me njësinë akademike duhet të bëjnë një zgjidhje të pranueshme për personin në fjalë. Duhet të verifikohet nëse ka raste tjera të ngjashme dhe të ngritet çështja tek organet kompetente. Asnjë pagesë nuk duhet të bëhet nëse paraprakisht nuk janë pranuar shërbimet”, rekomandon auditori.