Programet aktive të tregut të punës, UNDP ndihmon bizneset e reja

Në emisionin StartUp në RTV 21 u fol për “Programet aktive të tregut të punës”

Alban Kryeziu nga UNDP, tha se ideja për këtë program fillimisht ka qenë që të bëhet e mundur rritja e kapaciteteve të shërbimit publik të punësimit si dhe krijimi i një sistemi të mirëfilltë të punës në kuadër të shërbimit publik të punësimit. Sipas tij shërbimi publik i punësimit si rezultat i projektit është shumë funksional dhe ofron një numër të madh të shërbimeve për numrin e madh të të papunëve. Kryeziu deklaron se ka ekzistuar një paragjykim se zyrat për punë kanë qenë vetëm zyra ku regjistrohen të papunët dhe nuk u ofrohet asnjë shërbim atyre, dhe UNDP së bashku me Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale janë munduar që ta ndryshojnë këtë mendim, duke ofruar edhe këshillim, asistencë në hulumtim të tregut të punës si dhe ofrimin e masave të shumta që nxisin krijimin e vendeve të punës.

Xhevat Aliu nga Zyra e Punësimit në Gjilan ka deklaruar se shifra e punëkërkuesve aktivë ka mbërritur në rreth 100 mijë të tillë. Ai thekson se i tërë territori i Kosovës është i mbuluar me shërbime të punësimit të cilat janë në kuadër të Agjencionit të Punësimit të Republikës së Kosovës duke ofruar shërbimet e veta për të papunët. Aliu thotë se Zyrat e Punësimit kanë bashkëpunim të mirë me UNDP-në që i ka mbështetur nga viti 2005 në projekte që ndihmojnë punësimin. Së fundmi, UNDP ka ndihmuar edhe në krijimin e projektit për vetëpunësim, ku nga rajoni i Gjilanit kanë qenë 4 përfitues, bën të ditur Aliu, shkruan rtv21.tv.

Mirjeta Hoxha ka qenë përfituese e projektit të vetëpunësimit në vitin 2015 në komunën e Gjilanit. Hoxha pas përfundimit të studimeve kishte punuar në Turqi, duke vendosur pastaj të kthehet në Kosovë për ta bartur eksperiencën e saj. Ajo si prodhuese e veshjeve unike bën të ditur se ka kërkuar gjithandej për grante, duke parë edhe grantin e UNDP-së në faqen zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku pas përmbushjes së kritereve edhe është përzgjedhur. Pas një trajnimi tre javor, brenda tre muajsh ajo u bë përfituese e grantit, ku përveç mjeteve financiare, ajo përfitoi edhe mentorim si një biznes fillestar.

Ferdi Kadriu, një përfitues i këtij granti nga Mitrovica, merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve me receta tradicionale, dhe ka treguar që kjo veprimtari ka lindur nga prindërit e tij, që kanë punuar turshi me porosi për të afërmit e tyre.  Ai tregon se gjatë kohës që ka hasur në grantin nga UNDP, ka qenë edhe i regjistruar në Zyrën e Punësimit. Kadriu bëri të ditur se gjatë 2-3 muajve sa ka zgjatur procesi i grantit, UNDP ka ndihmuar në trajnimin e tyre profesional në menaxhimin e biznesit, duke mundësuar që të zhvillohen si biznes, dhe ta dinë mënyrën se si ta shpenzojnë grantin që t’i japin shtytje biznesit të tyre.

Shuma e grantit që kanë pranuar të përzgjedhurit është 3950 euro, të cilat janë paraparë si të nevojshme për të startuar një biznes të ri./21Media

Back to top button