Prokuoria jep detaje rreth plagosjes së dy grave në Fushë Kosovë

Lidhur me plagosjen e dy gravë në Fushë Kosovë në mesditën e sotme, Prokuroria Themelore në Prishtinë  ka bërë të ditur se me urdhër të Prokurorit te Shtetit rasti është iniciuar në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
“Ju njoftojme se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve te Renda, me te pranuar informaten per rastin e sotem ne Fushe Kosove, ka dale ne vendin e ngjarjes me njesite e tjera relevante, ku nga informatat fillestare mund t’iu njoftojme se nga te shtenat me arme zjarri nga nje i dyshuar, jane plagosur dy femra te cilat jane derguar ne QKUK per trajtim mjekesor.”, është bërë e ditur në njoftim.
Po ashtu, është theksuar se në koordinim me Policinë, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sigurimit të prezencës së të dyshuarit në procedure penale, si dhe për t’i ndriçuar të gjitha rrethanat.
13:45- Gratë që u plagosën në Fushë – Kosovë janë nënë e bijë, mjeku kujdestar flet për gjendjen e tyre
Dy gratë të cilat u plagosën sot në Fushë Kosovë janë jashtë rrezikut për jetë por me lëndime serioze.
Mjeku kujdestar i QKUK-së, Ejup Govori për portalin rtv21.tv tha se dy gratë janë nënë e bijë, njëra e lindur në vitin 1959 e tjetra në 1979.
“Gruaja që është më në moshë, viti ’59 sipas të gjitha gjasave është me lëndime më serioze, ka fraktura dhe lëndime në bark. Nuk janë në rrezik për jetë por kanë lëndime serioze”, tha Govori i cili shtoi se e njëjta pritet t’i nënshtrohet operacionit.
Ai po ashtu konfirmoi se  gruaja më e re ka lëndime më të lehta në ekstremitetet e poshtme, e cila sipas tij mund t’i nënshtrohet po ashtu operacionit.
12:29- Plagosen dy gra në Fushë Kosovë
Dy gra janë plagosur sot rreth orës 11:45 në rrugën “Besa Besë”, Fushë Kosovë.
Zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për portalin rtv21.tv tha se dyshohet se gratë janë plagosur nga një burrë me armë zjarri.
Ajo po ashtu tregoi se ato janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit.”, tha ajo./21Media

Back to top button