Prokurori i Shtetit autorizoi policinë të hetojë vdekjen e pacientit në QKUK pas operacionit në zemër

Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme për rastin  e vdekjes së pacinetit dy ditë më parë në QKUK, pas një operacioni të rrallë në zemër.
Këtë për portalin rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësja e Prokuorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
“mund t’iu njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qëllim të sqarimit të kësaj çështjeje dhe eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të ndonjë vepre penale, do të veprohet tutje me këtë rast.”, tha Ulaj.
Kardiokirurgu Kushtrim Shala ka dalë me një reagim të enjten në mbrëmje pak orë pasi u akuzua nga drejtori i Klinikës për mungesë përvoje, në rastin e një operimi të rrallë të kryer mesnatën e së martës në QKUK. Shala e kishte cilësuar të suksesshëm intervenimin, por pacienti pas rreth tri orësh vdiq. Drejtori i Klinikës i ka quajtur kardiokirurgët jokompetentë dhe të papërvojë për një intervenim të tillë.
Kurse, Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka reaguar për rastin e vdekjes së pacientit në QKUK disa orë pas operimit. Pamje nga operacioni ka shpërndarë në rrjete sociale kirurgu Kushtrim Shala, sipas të cilit operacioni “David” është bërë për herë të parë në Kosovë.
Kodra ka thënë se Oda e Mjekëve të Kosovës duhet ta trajtojë seriozisht këtë rast./21Media

Back to top button