Prokuroria: 11 vjeçarja që u dhunua, në qershor ishte raportuar e zhdukur

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se e mitura që u dhunua nga pesë persona në Prishtinë ishte raportuar si e zhdukur edhe në qershor të këtij viti.
“Po ashtu, për hir të informimit të saktë, ju njoftojmë se në qershor të këtij viti, e mitura fillimisht është raportuar në stacionin policor në Prishtinë si person i zhdukur, me ç’ rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie, i cili ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe e njëjta është gjetur e intervistuar në prezencë të punëtores sociale dhe mbrojtësit të viktimave, si dhe, më pas është dërguar në strehimore.”, thuhet në njoftimin e prokuorisë.
Tutje prokuroria bën të ditur se në mënyrë urgjente, prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rastit në fjalë.
“I njëjti ka lëshuar urdhëresa për ekzaminime dhe vlerësime të ndryshme. Po ashtu, në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe mbrojtësit të viktimave e mitura është marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit dhe ndaj të njëjtit rast janë duke vazhduar hetimet.”, thuhet në njoftim.
Prokuroria njofton se të dy çështjet penale ndodhen në procese hetimore të ndara dhe i takojnë Procedurës për të Mitur, andaj sipas prokurorisë kufizimi i dhënies së informatave do të bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe do të shmanget çdo publicitet i tepruar dhe informata që shpien në identifikimin e të miturve, pasi shkelin rëndë të drejtat e fëmijëve për privatësi dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjet dhe Konventat Ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.
Kurse sa i përket rastit të dhunimit të të miturës më 27 gusht prokuroria njofton se janë dërguar në mbajtje pesë (5) personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast, prej tyre dy madhor dhe tre të tjerë të mitur, për shkak të veprës penale “Dhunimi”./21Media

Back to top button