Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka deklaruar se pas mesnatës, në rrugën “Gjon Sereqi” në Gjilan, dyshohet se një person i moshës 19 vjeçare është sulmuar me thikë, i cili për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë.

I ndjeri E.S., fillimisht është dërguar për ndihmë mjekësore, në Emergjencën e Spitalit Regjional, në Gjilan, pastaj është transferuar në QKUK, në Prishtinë, ku edhe ka ndërruar jetë.

“Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i të ndjerit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje thuhet se lidhur me këtë çështje prokuroria në bashkëpunim me policinë janë duke ndërmarrë veprime hetimore, të cilat përfshijnë edhe intervistimin e familjarëve të të ndjerit dhe dëshmitarëve tjerë, me qëllim të ndriçimit të kësaj çështje penale./21Media