Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pas publikimit në mediat elektronike të rastit për vdekjen e dyshimtë të së miturës nga Drenasi, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë filluar hetimet paraprake hetimore lidhur me ndriçimin e këtij rasti.

Prokuroria sqaron se hetimet kanë nisur në drejtim të veprës penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, nga neni 254 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Raportohet se viktima  femër kosovare për shkak të problemeve shëndetësore me datën 14.05.2020 kishte kërkuar tretman mjekësor dhe pas tretmanit ishte liruar për në shtëpi, por për shkak se i ishte keqësuar gjendja shëndetësore, me datën 15.05.2020 ishte dërguar përsëri për trajtim mjekësor ku edhe kishte ndërruar jetë. Me autorizim të prokurorit është iniciuar rast i cila vazhdon të hetohet”, ka njoftuar policia.

Familja e të miturës nga Drenasi dyshon se vajza e tyre ka vdekur si pasojë e moskujdesjes nga stafi mjekësor në QKUK./21Media