Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri është kërcënuar dhe nga mbrëmë pranë shtëpisë së tij po qëndrojnë zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Kërcënimin ndaj Bahtirit e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Nëpërmjet një komunikate për medie nga Prokuroria thuhet se janë duke hetuar këtë rast.

“Prokuroria Themelore e Mitrovicës njofton opinionin se bazuar në informatat dhe të dhënat e pranuara në adresë elektronike nga ankuesi – kryetari i Mitrovicës së Jugut A.B., Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka autorizuar hetuesit policorë të ndërmarrin veprime hetimore mbi dyshime të “Kanosjes, shantazhit dhe detyrimit” ndaj të njëjtit”, thuhet në komunikatën për medie.

Prokuroria thotë se e ka vlerësuar të nevojshme prezencën e policisë aty.

“Prokuroria Themelore e Mitrovicës, njofton opinionin se si rrjedhojë e kërcënimeve ndaj kryetarit të Mitrovicës së Jugut A.B., është vlerësuar e nevojshme prezenca policore në vendbanimin e ankuesit”, përfundon njoftimi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë./21Media